
Shënohet sot Dita Kombëtare e Rinisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera, 8 dhjetori nuk pati dy palë, një fituese dhe një të humbur.
32 vite që brohorasim e festojmë, pushojmë e urojmë, reflektojmë në emër të së ardhmes dhe ëndrrave te tyre, por akoma sot ne ndjejmë gjëmimin e para 32 viteve, ” Ta bëjmë Shqipërinë si gjithe Europa “. Nuk e bëmë! Nuk e realizuam dot.
Rinia jone e mrekullueshme, me energji e pasion, me dashuri e këmbëngulje, me dije dhe ëndrra pafund, u braktis rrugëve të botës, duke plagosur e vrarë ëndrrën e shpresës së tyre në këtë vend.
Asnjë përpjekje nuk mjaftoi! Çdo vit e më shumë ky vënd po braktiset nga të rrinjtë, nga fuqia puntore, nga motori i dijeve. Rinia ka ikur dhe për këtë fenomen duhet ngritur këmbana e alarmit. Shqipërinë jo që nuk e bëmë si Europa por e braktisëm për Europën. As Europa nuk është fushë me lule pasi duhet të punosh shumë për të arritur synimet që ke vendosur por Europa të jep mundësi , të jep atë që Shqipëria nuk na i dha kurrë!
Por sot, pas 32 vitesh duhet ta gjejme kurajon si shoqëri. Duhet ta kthejmë rininë tonë në vëndin e tyre , tju japim mundësi më të mira ,punësim, arsimim , tu japim mundësinë e vendimarrjes,për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vëndin e vet
Ti japim çelësat e vendimarrjes Rinisë Shqiptare, për të ndërtuar shtëpinë e tyre ne vendin e shqipeve. Një vënd pa rini është si shkretëtirë!
Duhet ta bëjmë për fëmijët tanë, për të ardhmen e tyre dhe te mirën tonë të përbashket.
Vetëm kjo do të jetë rruga e shpëtimit të kombit dhe siguria se Shqiperia do të bëhet shtëpia e shqiptarëve.
Ëndërruam për të qënë të lirë dhe jo të dëbuar, përbuzur dhe nëpërkëmbur.
Ëndërruam për një jetë të sigurt dhe respektim të vlerave qytetare,për një shtet ligjor ,dhe të së drejtës ,për një shtet që të jep mundësi dhe jo një shtet ku thërret qameti. Nuk ëndërruam për një shtet që të vret ëndrrat. Nuk ëndërruam për një shtet që të përbuz dhe të detyron ta braktisësh. U lodhëm e u stërmunduam duke u përpjekur ta bëjmë Shqipërinë të Shqiptarëve ,ta bëjmë Shqipërinë si Europa dhe jo tja shesim Shqipërinë Europës. Ëndërruam një Shqipëri të lirë dhe jo për një Shqipëri të Censuruar. Ëndërruam ta bëjmë Shqipërinë si Europa me standarte europiane dhe jo ta braktisim atë për të punuar rrugëve të Europës. Një fjalë e urtë popullore thotë që Guri i rëndë peshon në vënd të vet!